30.03.2012. Në këtë vit të rëndësishëm jubile të pavarësisë për mbarë shqiptarët, cilësuar nga Qeveria e Shqipërisë edhe si viti i Shqipërisë Dixhitale, AITA – Albanian Information Technology Association festoi 5-vjetorin e krijimit dhe ekzistencës së vet. Krijuar me iniciativën e drejtuesve të disa prej kompanive të rëndësishme shqiptare në fushat e teknologjise se informacionit hardware, software, integrim sistemesh dhe trajnime, të cilët njohën nevojën e përfaqësimit të përbashkët për të mundësuar kushte më të mira biznesbërjeje në sektor, AITA që prej vitit 2007 është rritur vazhdimisht për t’u pranuar sot brenda edhe jashtë vendit si zëri kyç i sektorit të Teknologjisë së Informacionit në Shqipëri. Shoqata e përbërë tashmë nga mbi 50 anëtarë dhe e kthyer në partnere për shoqata homologe nga vende të ndryshme të botës dhe si nje portë hyrëse në Shqipëri, ofron për anëtarët e vet kompani, universitete, shkolla të mesme teknike dhe OJQ, mundësi për shërbime të biznesit, për trajnime dhe workshope, për lobim dhe për rrjetëzim në kuadër të platformave të ndryshme të takimit për profesionistë brenda sektorit dhe takime që kryqëzojnë sektorët. Aktiviteti i datës 29 Mars mblodhi kompani anëtare të AITA, profesionistë të sektorit, përfaqësues dhe kompani nga sektorët e tjerë të ekonomisë, përfaqësues të lartë të botës akademike, donatorë e organizata të rëndësishme partnere. Përfaqësuesit më të lartë të qeverisë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe drejtuesit e dy Ministrive që lidhen direkt me cilësinë e sektorit të Teknologjisë së Informacionit, Ministri i MITIK Genc Pollo dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, nderuan këtë aktivitet me praninë e tyre. Z.Grigor Joti, President i Asamblesë së AITA, mbajti një fjalim në emër të AITA në të cilin theksi u vu në prezantimin e zhvillimit të shoqatës dhe kontributin e dhënë nga kompanitë shqiptare për zhvillimin e Shqipërisë Dixhitale si dhe në paraqitjen e dy ideve të cilat do të mundësonin zhvillim më të përshpejtuar të sektorit. Së pari, përmes mbështetjes dhe lehtësimeve të ndryshme fiskale Shqipëria ka potencialin të kthehet në një superfuqi të vogël rajonale për prodhim softwaresh. Gjithashtu për të realizuar qëllimin “Kompjuter në çdo familje shqiptare” një ide tjetër do të ishte ajo e uljes së TVSH-së për kompjutera dhe laptopë për një periudhë disavjeçare çka do t’i mundësonte gjithë familjeve shqiptare pajisjen më të shpejtë me produkte të kësaj natyre. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë përshëndeti shoqatën me një fjalim ku theksi u vu mbi rëndësinë e kompanive të sektorit për transformimin në mënyrë thelbësore të vendit, “nga një vend ndër më të prapambeturit në planet në fushën Hi-Tech dhe penetrimin e internetit, në një vend që këtë vit do të festojë 100-vjetorin e pavarësisë së tij si “Shqipëria dixhitale””. Duke e konsideruar idenë për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël rajonale për prodhim softwaresh si një çështje themelore, Kryeministri u shpreh se për të përqendrimi duhet të jetë i përbashkët dhe bëri me dije se qeveria këtu ka një nga projektet më të rëndësishme të saj dhe është e gatshme dhe e vendosur që së bashku me përfaqësuesit e biznesit të përcaktojë kuadrin ligjor më të përshtatshëm dhe masat lehtësuese më të fuqishme. Më tej Kryeministri shtyu biznesmenët e pranishëm të sektorit që të vazhdojnë të dëshmojnë guxim, sepse do të mbështeten nga qeveria, pasi infrastruktura dixhitale vazhdon të konsiderohet si një nga drejtimet më jetike të zhvillimit të vendit. Në mbyllje të pjesës zyrtare të aktivitetit, AITA nderoi Prof.Dr. Eqerem Arkaxhiu në Dhomën e të Nderuarve (Albanian IT Hall of Fame) – një institucion i ri brenda AITA, si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e shquar në zhvillimin e Informatikës në Shqipëri. Ky çmim që u paraqit nga Kryetari i Bordit Dritan Mezini dhe Anëtari i Bordit Romeo Sherko u tërhoq nga fëmijët e profesorit në praninë e rektorit Dhori Kule, dekanit Mynyr Koni, disa pedagogëve të departamentit të Informatikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore ku ai shërbeu si pedagog për shumë vite dhe kolegëve të tjerë nga universitete të tjera. Aktiviteti mundësoi shkëmbime midis pjesëmarrjeve, lidhje kontaktesh të reja mes bizneseve dhe universiteteve e organizatave donatore dhe anëtarëve në mes tyre.

#gallery-15 {
margin: auto;
}
#gallery-15 .gallery-item {
float: left;
margin-top: 10px;
text-align: center;
width: 33%;
}
#gallery-15 img {
border: 2px solid #cfcfcf;
}
#gallery-15 .gallery-caption {
margin-left: 0;
}