Tryeza e Rrumbullakët e AITA: Prokurimet Publike në Shqipëri

3.10.2012. Në datën 2 Tetor AITA organizoi një tryezë të rrumbullakët mbi temën e Prokurimeve Publike në Shqipëri. E cilësuar nga kompanitë e sektorit TIK si një temë prioritare si nga ana e shqetësimeve që shkakton ashtu edhe nga ana e kërkesës në adresë të qeverisë për përmirësim politikash, sigurimi i konkurrencës së drejtë është një temë me rëndësi për gjithë ekonominë shqiptare. Në tryezë u përshinë përfaqësues të qeverisë nga Agjencia e Prokurimit Publik, Avokati i Prokurimeve, AKSHI dhe MITIK dhe 15 subjekte private anëtare të AITA.   Përmes shfaqjes së problematikave me të cilat ndeshen kompanitë anëtare në proceset e prokurimit publik, AITA dhe më pas në ndërhyrje të veçanta edhe kompanitë pjesëmarrëse patën mundësinë të përcillnin shqetësimin ekzistues mbi tema si: shkrimi i termave të referencës në tendera, parimet e vendimit për kompanitë fituese dhe monitorimi i dorëzimit të mallit/shërbimit të premtuar, procedurat para dhe pas shpalljes së rezultateve të tenderave, pronësia intelektuale për zgjidhjet e përgatitura, tenderat për mirëmbajtje, tenderat e institucioneve ndërkombëtare dhe tenderat për prokurim të përqendruara, kontratat mes autoriteteve kontraktuese dhe kompanive fituese të tenderave, kriteret për vlerësimin e ofertave. Një pjesë me rëndësi e tryezës iu kushtua paraqitjes nga ana e përfaqësueseve të APP të risive që sjell projektligji i ri për Prokurimin Publik dhe mënyrën se si problematikat e shprehura nga AITA dhe anëtarët e saj adresohen. Diskutimi dhe përgjigjet e dhëna nga përfaqësuesit e institucioneve mbi problematikat e shfaqura, nxorën në pah nevojën për diskutime të mëtejshme si vijim i këtij takimi, konkretisht me AKSHI lidhur me sugjerimet nga ana e sektorit privat mbi projektligjin e ri si dhe me Avokatin e Prokurimeve dhe APP mbi temën e përgatitjes së kontratave sa më të drejta në mes të kompanive fituese tenderash dhe autoriteteve kontraktuese. Në përmbledhjen e zhvilluar në mbyllje të takimit, këto u morën përsipër edhe si detyrat më të afërta për shoqatën lidhur me adresimin e temës së prokurimeve publike në bashkëpunim me institucionet shtetërore.   Aktiviteti në foto