Startup Weekend po vjen në Tiranë!

16.04.2012. Tirana si qendër prodhimi softwaresh në rajonin tonë është një vizion i dëshiruar nga shume palë: kompanitë që veprojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, të rinjtë e ekspertët informaticienë të cilët të tashmen dhe të ardhmen e tyre e shohin në Shqiperi dhe Qeveria e cila prej vitesh dëshmon se po e shtyn shoqërinë dhe jetën shoqërore-ekonomike të vendit drejt dixhitalizimit. Më së fundmi kjo u konfirmua në aktivitetin e zhvilluar në datën 29 Mars me rastin e 5-vjetorit të krijimit të AITA – Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit. Aktiviteti mblodhi drejtues të kompanive anëtare të shoqatës, përfaqësues të universiteteve e të qeverisë së Shqipërisë. Në mbështetje të vizionit të paraqitur për sektorin nga Presidenti i Asamblesë së AITA, z.Grigor Joti mbi Shqipërinë si superfuqi softwarike, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e konsideroi idenë për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël rajonale për prodhim softwaresh si një çështje themelore dhe u shpreh se për të përqendrimi duhet të jetë i përbashkët duke bërë me dije se qeveria këtu ka një nga projektet më të rëndësishme të saj dhe është e gatshme dhe e vendosur që së bashku me përfaqësuesit e biznesit të përcaktojë kuadrin ligjor më të përshtatshëm dhe masat lehtësuese më të fuqishme.   Rezultatet e Global Technology Report të publikuar para disa ditësh, tregojnë se Shqipëria mban pozicione shumë të ulëta në renditje posaçërisht në fushën e inovacionit, mbështetjes me venture capital për projekte dhe regjistrimin e patentave të reja.  Në kuadër të aktiviteteve të veta në mbështetje të vizionit për Shqipërinë superfuqi rajonale në fushën e prodhimit të softwareve dhe vend inovacioni në fushën e teknologjisë së informacionit e më gjerë, AITA gjatë muajit Mars 2012 mbështeti aktivitetin Imagine Cup organizuar nga Microsoft Albania (anëtare e shoqatës) dhe Olimpiadën Kombëtare të Informatikës për nxënësit e shkollave të mesme dhe për herë të parë po sjell në Tiranë në datat 20 – 22 Prill një aktivitet të formatit e standartit ndërkombëtar, me origjinë nga SHBA.   Startup Weekend Startup Weekend është një aktivitet 54-orësh që zhvillohet gjatë një fundjave dhe shërben si platformë takimi mes programuesve, dizajnerave, marketuesve, manaxhereve të produkteve, financierëve, insvestuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë në përgjithësi që mblidhen për të ndarë ide, për të formuar ekipe, për të lançuar produkte dhe kompani të reja. Avantazhet e pjesëmarrjes në aktivitete të këtij lloji janë të shumëfishta. Akti i krijimit i cili zhvillohet gjatë fundjavës ndihmon pjesëmarrësit të mësojnë dhe të mos dëgjojnë vetëm për teori por të ndërtojnë e testojnë strategji. Rrjeti i pjesëmarrësve i cili përmban një kombinim ekspertësh, të rinjsh, njerëzish me ide e investuesish potencialë krijohet gjatë fundjavës dhe ofron mundësinë e shfrytëzimit afatgjatë për të gjetur një vend pune apo investorë të gatshëm për të mbështetur krijimin e një ndërmarrjeje që mundet të ofrojë një model të mire. Platforma  e ofruar jep mundësi për të mësuar një gjuhë të re programimi, për të fituar aftësi të reja. Ajo shërben edhe si pikë takimi me bashkëthemeluesit potencialë për një ndërmarrje të re dhe me vendimmarrës e personalitete me rëndësi në komunitet të cilat janë ftuar si mentorë apo anëtarë jurie. Mbi 45 000 individë me prirje sipërmarrësi kanë marrë pjesë tashmë në aktivitete Startup Weekend kudo në botë, të gjithë me një mision: të ndryshojnë botën. Forbes në 2010 me cilësimin “Emra që ju duhet të dini për vitin 2011” dhe Techcrunch në 2012 duke i bërë një përmbledhje një viti 2011 të mbushur me aktivitete, i kushtuan vëmendje modelit Startup Weekend dhe suksesit që ai ka dëshmuar kudo në botë.   Ekipi organizator dhe Sponsorët Ekipi organizator i përbërë nga staf ekzekutiv i AITA dhe i partnerëve në projekt Startup Weekend Norway dhe Startup Weekend ka punuar javët e fundit për të mundësuar një projekt pilot të suksesshëm i cili synohet të pasohet edhe nga mjaft të tjerë. Mbështetës kryesorë të projektit janë Ambasada e Norvegjisë, AITA dhe IKT Norge – Shoqata Norvegjeze e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.  Universiteti Europian i Tiranës garantoi që në ditët e para mbështetje për projektin duke mundësuar zhvillimin e tij në mjediset e veta, mbështetje me infrastrukturë dhe staf teknik. Sponsorë të tjerë të rëndësishëm si Crimson Capital, DM Consulting, USAID Rritje Albania, Pro-TIK, 1Up, Universiteti Epoka PC World Albanian dhe CIO, EasyPay do të mundësojnë çmime për ekipet dhe individë të talentuar, pjesvmarrës në aktivitet. Tashmë mbi 70 persona të moshave të ndryshme janë regjistruar me profilet e tyre dhe rreth 15 prej tyre janë shprehur se do të paraqesin ide inovative gjatë fundjavës, një pjesë prej tyre edhe duke e bërë me dije në pak fjalë se çfarë do të paraqesin konkretisht. Çfarë ndodh konkretisht në këtë fundjavë? Të premten: Idetë paraqiten në hapjen e aktivitetit nga individët pjesëmarrës të cilët në pak sekonda kohë duhet të jenë në gjendje të entuziazmojnë publikun për idenë e tyre. Të interesuarit afrohen rreth personave që sjellin ide dhe po kërkojnë për ndihmë në fusha të ndryshme: zhvillim, dizajn, marketing, financa. Grupet krijohen dhe fillojnë nga puna. Të shtunën: Ekipet e krijuara forcojnë frymën e grupit dhe duke marrë ndihmë nga mentorët e aktivitetit zhvillojnë prototipe të cilat duhet të jenë gati deri të djelën mbasdite. Të djelën: Ekipet përgatiten gradualisht për prezantimin përfundimtar i cili ndodh para jurisë së përbërë nga sponsorët kryesorë. Juria vendos për idetë e përpunuara dhe të sjella në formën e prototipit para tyre dhe ndajnë çmimet. Interesi i zgjuar Rezultatet e arritura me gjetjen e sponsoreve, sigurimin e mbeshtetjes dhe cmimeve speciale si dhe pranimi nga ana e shume personaliteteve nga fusha e teknologjise se informacionit ne Shqiperi qe te behen mentore te aktivitetit, le te kuptohet se idese e modelit Startup Weekend i kishte ardhur koha ne Shqiperi. Ndonëse sipërmarrja është një iniciativë private, individuale ose grupi e cila jo detyrimisht duhet të kalojë përmes një modeli të tillë, eksperienca e mirë mbarëbotërore në aplikimin e këtij modeli, premton që zhvillime interesante mund të priten edhe në Shqipëri. Tema si sipërmarrja, inovacioni dhe venture capital sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit dhe nën vizionin e Shqipërisë si superfuqi rajonale në prodhimin e softwareve, janë tema të cilat është e nevojshme që jo vetëm të bëjnë pjesë në fjalorin e përditshëm të biznesmenëve, politikanëve, ekspertëve, të rinjve në sektor, por të shtyjnë drejt rezultateve që ta bëjnë Shqipërinë vërtet një qendër zhvilluese idesh dhe talentesh. Më shumë për Startup Weekend Tirana mund të lexoni në: http://tirana.startupweekend.org. Më shumë për Startup Weekend mund të lexoni në: http://startupweekend.org.   Referenca: Global Technology Report (2012): http://www3.weforum.org/docs/Global_IT_Report_2012.pdf Forbes (2010): http://www.forbes.com/sites/helencoster/2010/11/16/names-you-need-to-know-in-2011-startup-weekend/ Techcrunch (2012): http://techcrunch.com/2012/01/06/startup-weekends-eventful-year-260-events-in-202-cities-startups-raised-30m