Inaugurimi i ProTIK – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Bordit të AITA

12.10.2012. Inaugurimi i Qendrës ProTIK, në praninë e aktorëve të rëndësishëm që mundësuan krijimin e saj, e kthen datën 10 Tetor 2012 në një ditë të shënuar për sektorin TIK në Shqipëri. Në emër të AITA fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i Bordit, Z. Dritan Mezini: “Në emër të Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Shqipërisë (AITA), përfaqësuesja kryesore e biznesit privat të Teknologjisë së Informacionit dhe së fundmi dhe të Komunikimit, i uroj Qendrës Burimore të TIK (ProTIK) mirëseardhjen në familjen e aktorëve kryesorë të industrisë sonë në Shqiperi.   Madje, ProTIK në vetvete është një produkt i vizionit dhe punës të disa prej aktorëve kryesorë në treg, siç është USAID, Qeveria e Shqipërisë, Microsoft, Albtelecom, American Albanian Development Foundation, AITA, USAID Rritje Albania etj. ProTIK është një realizim i frytshëm i bashkëpunimit midis palëve.   Urojmë që ProTIK të jetë një shembull i suksesit të bashkëpunimit dhe i kthimit të premtimit në realitet si dhe t’i hapë rrugën dhe projekteve të tjera të ngjashme. AITA si shprehëse e interesave të 59 anëtarëve, 50 nga sektori privat, 8 institucione edukimi (universitete/shkolla teknike) e ka mbështetur ProTIK në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, nga ideja, vizioni dhe deri më sot, dhe vazhdimisht do ta mbështesë për të përballuar sfidat e rritjes, dhe në hapjen e horizonteve të reja për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit. Ne urojmë dhe besojmë që së bashku me Qeverinë, Komunitetin Ndërkombëtar dhe me palët e tjera të interesit ta kthejmë Shqipërinë në një vend tërheqës për zhvillim të aplikimeve softwerike, shërbimeve informatike si për të plotësuar nevojat e tregut të brendshëm, rajonal apo edhe ato të tregut ndërkombëtar. Ne besojmë se të gjithë së bashku do të mund të gjejmë çelësin për këtë zhvillim, i cili në vetvete përfaqëson dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të industrisë dhe bashkë me të dhe të ProTIK. Më vjen mirë kur shprehem që ProTIK përfaqëson një “pashaportë”, një simbol të mirë të zhvillimit të industrisë brenda dhe jashtë vendit. Si e tillë, pjesëmarrja e AITA në Bordin Ekzekutiv të ProTIK, mundëson një kanal komunikimi të sjelljes së zërit të biznesit në aktivitetet e ProTIK dhe në ndërtimin e një themeli për zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen. Çfarë presim ne nga ProTIK? Që ProTIK të jetë: – Partner i anëtarëve tanë për infrastrukturën; – Partner i anëtarëve tanë për sigurimin e shërbimeve; – Të ndihmojë në gjenerimin e kërkesës nga industritë horizontale për IT/ICT; – Të ndihmojë në promovimin e inovacionit dhe të sipërmarrjes, nismave në sektorin e IT-së; – Dhe mbi të gjitha, të mbështesë mekanzimin që Shqipëria të bëhet treg i outsourcing në IT. AITA e shikon ProTIK si një partner të qëndrueshëm në misionin e saj të forcimit, zhvillimit dhe konsolidimit të industrisë së IT si dhe të rritjes së kërkesës për zgjidhje apo shërbime të Teknologjisë së Informacionit nga sektori Privat. Duke i uruar suksese ProTIK, AITA premton mbështetjen e saj të plotë për forcimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ProTIK dhe e konsideron ProTIK një partner të denjë në misionin e saj të përfaqësimit të interesave të anëtarëve të saj në veçanti dhe të industrisë sonë në përgjithësi.”