General Assembly of AITA, 5 July, 2012

09.07.2012. Në datën 5 Korrik 2012 u zhvillua Mbledhja e Asamblesë e AITA. Për nga rëndësia e vendimeve që do të merreshin në të, kjo mund  të konsiderohet si një nga mbledhjet më të rëndësishme të zhvilluara deri më sot në kuadër të zhvillimit të organizatës.   Nga 41 anëtarë me të drejtë vote në këtë mbledhje morën pjesë 24 prej tyre. Vendimet që u morën ishin:

  • Miratimi i amendimeve të sugjeruara për statutin – Statuti i miratuar nga kjo Mbledhje bazohet në statutin e 2007 por njëkohësisht reflekton zhvillimin e shoqatës në 5 vitet e fundit, përfshi këtu rritjene numrit të anëtarëve. Në statutin e ri parashikohet që shoqata do të përfshijë edhe kompani nga fusha e komunikimit me një plotësim ku qartësisht kufizohet se cilat prej tyre nuk mund të përfshihen. Bordi i shoqatës zgjerohet në 7 anëtarë, kohëzgjatja e mandateve për anëtar bordi, drejtues bordi dhe drejtues asambleje unifikohet në 3 vjet;
  • Propozimet që erdhën nga kompanitë ADB Consulting dhe Konsort u paraqitën dhe u hodhën për votim në Mbledhjen e Asamblesë. Një pjesë e propozimeve të ADB Consulting ishin të natyrës teknike dhe u inkorporuan në draftin e paraqitur dhe miratuar të statutit për të rritur cilësinë e tij;
  • Miratimi i rregullores së brendshme të shoqatës – Rregullorja e miratuar bazohet në praktika të mira të shoqatës homologe STIKK, në procedura të ndjekura nga AITA në vitin e kaluar, procedura nga praktika të mira ndërkombëtare, procedura të mira edhe në Administratën Shtetërore;
  • Miratim i planit të punës dhe buxhetit për periudhën Korrik 2012 – Mars 2013;
  • Zgjedhja e katër anëtarëve të bordit. Pas miratimit të statutit të ri, në Bord u hapën 4 pozicione. Për këto 4 pozicione u paraqitën 8 kandidatura. Në pozicionet që mbanin më parë u konfirmuan z.Dritan Mezini (DM Consulting Services) dhe z.Romeo Sherko (ikubInfoSoft). Si anëtarë të rinj në bord u zgjodhën znj.Linda Shomo (EasyPay) dhe z.Gjergji Guri (Facilization);
  • Në pozicionin e Kryetarit të Bordit u konfirmua z.Dritan Mezini.