Events

Loading Events

Fjala e z Grigor Joti per 5 vjetorin e AITA

I nderuar zoti kryeministër! Të nderuar ministra, të nderuar përfaqesues të institucioneve të tjera shtetërore dhe arsimore, donatorë, partnerë, të nderuar miq dhe anëtarë të shoqatës.
 
Eshtë kënaqësi e veçantë që jemi mbledhur sot këtu, në 5 vjetorin e krijimit të AITA-s, shoqatës që përfaqeson komunitetin e IT-së në vendin tonë.
Misioni i kësaj shoqate, ka qenë dhe mbetet krijimi i një jete komunitare të sektorit të IT-së në vend, përfaqësimi i interesave të këtij sektori dhe rritja e komunikimit midis pjesëtarëve të tij, ndërtimi dhe rritja e komunikimit me sektorë analogë në vende të tjera, etj.
 
E krijuar në fillim ndoshta me pak skepticizëm dhe me vetëm 12 anëtarë, AITA sot, me 52 anëtarët e saj, është një përfaqësuese e denjë e këtij komuniteti, ku bëjnë pjesë gjithashtu, edhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe shkencore që operojnë në fushën e IT-së.
 
Suksesi i AITA-s është shtrirë tashmë edhe jashtë kufijve të vendit, përmes bashkëpunimit me shoqata analoge të vendeve mike. Një ngjarje e veçantë për shoqatën tonë ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes për suport dhe zhvillim me qeverinë norvegjeze, e cila ka akorduar edhe një fond të rëndësishëm për shoqatën, që shërben si nxitje dhe suport për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit tonë.
 
Dëshiroj të shpreh me këtë rast, vlerësimin tonë maksimal për njohjen dhe bashkëpunimin e ofruar nga qeveria shqiptare dhe organet e e administratës shtetërore, të cilët e konsiderojnë AITA-n, një përfaqësuese dinjitoze e interesave të sektorit të IT-së në vend.
 
Pohoj me kënaqësi që sektori i IT-së dhe në veçanti biznesi i IT-së, vitet e fundit ka pësuar një zhvillim sasior, por sidomos cilësor. Arsyeja kryesore e këtij zhvillimi lidhet padyshim me politikën që qeveria shqiptare ka ndjekur dhe po ndjek për këtë sektor. Iniciativa të tilla si Shqipëria dixhitale, interneti në çdo familje, zhvillimi i shërbimeve elektronike për qytetarët dhe biznesin, kanë rritur investimet në sektorin IT dhe për rrjedhojë, kanë krijuar mundësitë që kompanitë shqiptare të jenë aktorë të rëndësishëm në realizimin e këtyre iniciativave. Komuniteti i biznesit i është mirënjohës kësaj qeverie, për heqjen e barrierave diskriminuese që ekzistonin më parë, përsa i takon përfshirjes së kompanive shqiptare në realizimin e projekteve të rëndësishme në fushën e IT-së. Komuniteti ynë krenohet që një numër i madh zgjidhjesh informatike dhe aplikacionesh, që janë sot funksionale në institucionet shtetërore, janë realizuar nëpërmjet kontributit të rëndësishëm te biznesit shqiptar.
 
Po përmend këtu disa prej tyre:

  • Regjistri i Bizneseve për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit
  • Regjistri Kombëtar i Adresave
  • Menaxhimi i Informacionit mbi Legalizimet
  • Menaxhimi i të Dhënave të Burimeve Natyrore
  • Sistemi i Prokurimit Elektronik për Agjencinë e Prokurimit Publik
  • Deklarimi Elektronik për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve
  • Regjistri i Licensave për Qendrën Kombëtare të Licensimit
  • Portabiliteti i numrave telefonike
  • Sistemi i Menaxhimit të Informacionit të Burimeve Njerëzore për Departamentin e Administratës Publike
  • Sistemi i Informacionit për Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit
  • Sistemi i Regjistrimit të Mjeteve për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor
  • Sistemi i Planifikimit të Buxhetit Afat-mesëm
  • Sistemi Elektronik i Lejeve të Punës
  • E-Kabineti
  • Sistemi Informatik për Luftën kundër Pastrimit të Parave
  • Sistemi i Informacionit të Menaxhimit të Burimeve për Policinë e Shtetit
  • Sistemi i Menaxhimit të Informacionit për Edukimin për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
  • Sistemi Informatik i Menaxhimit te Çështjeve Gjyqësore

Projekte në proces:

  • Projekti i Interoperabilitetit
  • Sistemi i Menaxhimit të Dokumentave dhe Rekordeve për Qeverinë
  • Portali Kryesor i Qeverisë Shqiptare
  • Shërbimet Elektronike Qeveria-për-Biznesin, Qeveria-për-Qytetarin

Përfshirja e biznesve shqiptare ne këto projekte dhe realizimi me sukses i tyre, iu ka dhënë këtyre të fundit mundësinë e rritjes së kapaciteteve profesionale nga njera anë, dhe nga ana tjetër, ka krijuar tek administrata shtetërore, besimin se biznesi shqiptar mund të jetë partner serioz në vënien në jetë të projekteve të tjera që qeveria ka në programin e saj.
 
Shoqata jonë beson se qeveria mund të kontribuojë akoma më shumë në rritjen dhe zhvillimin e këtij sektori në vendin tonë. Duke u inkurajuar edhe nga prezenca e kryeministrit në këtë aktivitet, gjë që dëshmon edhe njëherë për suportin që në mënyrë të veçantë ai i jep këtij sektori, unë dëshiroj të prezantoj këtu dy ide, realizimi i të cilave, do të ndihmonte shumë në këtë drejtim:

  1. Shqipëria qendër rajonale për prodhimin e softwareve.
    Ne kemi një brez të ri dinamik dhe të etur për dije, për të cilët padyshim që qeveria është e interesuar të krijojë mundësi të mira punësimi dhe të mos lejojë largimin e tyre jashtë vendit. Sektori i SW është sektori, ku kostoja për krijimin e një vendi pune, është më e ulët se në çdo sektor tjetër të industrisë.
    Me teknologjitë e sotme, softwaret janë lehtësisht të eksportueshëm në të gjitha vendet e botës. Shoqata do t’i sugjeronte qeverisë, të hartonte një plan zhvillimi të industrisë softwarike në Shqipëri, duke nisur nga procesi i edukimit në nivel të lartë profesional të të rinjve dhe deri tek krijimi i lehtësirave për zhvillimin e këtij aktiviteti në Shqipëri; lehtësi fiskale për kompanitë që ofrojnë Software, lehtësi të akomodimit të tyre etj… Pse të mos flasim për një minisuperfuqi softwarike në të ardhmen!!!!!
  2. Krijimi i lehtësive fiskale për depërtimin e kompjuterave në çdo familje, me qëllim realizimin e politikës së qeverisë, internet në çdo familje. Vendet fqinje tashmë kanë aplikuar politika të dhënies së voucher-ave për studentët dhe nxënësit, për blerjen e një kompjuteri ose laptopi, TVSH të reduktuar deri në 5%, etj. Ndoshta një alternativë e këtyre politikave, mund të ishte lehtësimi nga TVSH-ja e importimit të PC-ve dhe laptop-eve, për një periudhë disavjeçare.

Do dëshiroja ta mbyllja fjalën time, duke ju ftuar që të vazhdoni ta konsideroni AITA-n, si një partner dhe bashkëpunëtorë të vlefshme të qeverisë, në politikat dhe vendimmarjet e saj, për zhvillimin e sektorit të IT-së në vend.
 
Ju faleminderit!