Deklaratë pë shtyp klasës politike në Shqipëri për normalizimin e situatës politike dhe ekonomike në vend.

Komuniteti i shoqatave dhe dhomave të tregëtisë, përfaqësues të industrive kryesore të vendit, u mblodhën më datë 20 Maj 2019, për një deklaratë të përbashkët për shtyp për politikën shqiptare që të mos vonojë në gjetjen e zgjidhjes politike dhe për të shpëtuar ekonominë nga pasoja dhe dëme të thella afatgjata.

Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (AITA) u përfaqesua nga Drejtori Ekzekutiv/Kryetari i Bordit z.Dritan Mezini.

Deklarata e plotë:

Deklaratë

Forumi i Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatat e Sipërmarrjes private i bëjnë unanimisht apel klasës politike në Shqipëri për normalizimin e situatës politike dhe ekonomike në vend.

Përshkallëzimi i situatës që thellon krizën politike në vend ka krijuar dhe po thellon plagë të rënda në ekonominë Shqiptare.

Të shqetësuar nga kjo situatë politike në vend, u bëjmë thirrje liderëve të partive politike të gjejnë ZGJIDHJE pa humbur kohë.

Përvoja nga krizat e mëparshme që ka kaluar vendi ynë gjatë 30 viteve, kanë treguar se gjithmonë është gjetur një zgjidhje,  por diferenca është tek kohëzgjatja dhe fatura e paguar. Faturë që e kanë paguar dhe vijojnë ta paguajnë konsumatorët, taksapaguesit dhe e gjithë ekonomia shqiptare.

Në kohën e këtij apeli, është shtuar hezitimi te konsumatori shqiptar, është shtuar hezitimi për të vijuar me investimet si tek sipërmarrja vendase ashtu edhe tek investitorët e huaj.

Në këtë situatë të krijuar, më shumë nga të gjithë po cenohet sipërmarrja private, si kontribuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, me 85% të prodhimit të përgjithshëm vjetor (GDP) dhe  me punësimin, nga ku 9 në 10 shqiptarë sot punojnë në sipërmarrjen private.

Në mënyrë që të vijojë prodhimi, ruajtja dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës, sipërmarrja sot më shumë se kurrë, ka nevojë për politikat e duhura dhe stabilitetin politik, për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe inkurajues për investime.

Shenjat dhe sinjalet e para për shkak të krizës politike janë të dukshme në të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit. Për operatorët dhe industrinë turistike situata e krizës politike përkeqëson ndjeshëm zhvillimin e këtij sektori.

Gjithmonë është e mundur një zgjidhje pa kaluar në përkeqësim.

Apeli ynë ndaj elitës politike është që mosmarrëveshjet që keni, zgjidhini duke demonstruar një sjellje të përgjegjshme dhe duke patur në mendje jo interesin e ngushtë partiak dhe të pushtetit, por interesin e shqiptarëve dhe të vendit.

Në një situatë të tillë politike të krijuar, i sjellim ndërmend klasës politike se:  

-Biznesi vendas dhe i huaj apelon për stabilitet politik, i cili i shërben klimës së mirë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

-Klima e tensionuar politike ndikon negativisht për të gjithë ato që kanë në planet e tyre  të investojnë në Shqipëri, dhe se:

Sipërmarrja beson vetëm te ligjshmëria dhe  dialogu i cili sjell normalitet, zhvillim dhe integrim!